Dy shtete mike, dy popuj miq, dy rajone me pesë vite marrëdhënie të forta e të shkëlqyera bashkëpunimi.

 

(Në kuadër të pesë vjetorit të nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit, rrethi Nysa, Poloni- Këshilli i Qarkut Lezhë, Shqipëri.

Pak histori mbi marrëdhëniet Shqipëri –Poloni…….

Dy shtete me marrëdhënie të hershme diplomatike

Marrëdhëniet episodike midis Shqipërisë e Polonisë datojnë shumë heret, njihet korrespondenca diplomatike mes dy vendeve tona që nga koha e Skënderbeut. Sipas historianëve tanë, kontakti i parë direkt diplomatik midis Oborrit Polak dhe Skënderbeut ndodhi në pranverën e vitit 1446, kur të dy shtetet u bashkuan kundër Perandorisë osmane.

Por data shtatë prill e 1937- ës mund të konsiderohet si data e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve tona, në atë kohë përfaqësuesi polak në Athinë, Wladyslaw Schwarzburg-Günther, u akreditua në Shqipëri, ditën tjetër ai përfaqësoi Poloninë në ceremonitë e dasmës së mbretit shqiptar, Ahmet Zogu me konteshën hungareze Geraldina Apponyi. Dy vite më vonë me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, ato u ndërprenë.

Pas rënies së komunizmit dhe ndryshimeve demokratike në Poloni dhe Shqipëri, marrëdhëniet bilaterale fituan një dimension të veçantë. Të dyja shtetet kanë zgjedhur drejtimin e integrimit Euroatlantik. Aktualisht, Shqipëria dhe Polonia janë aleatë në NATO. Polonia është anëtare në NATO prej vitit 1999 dhe anëtare e BE- së prej 2004, ndërsa Shqipëria u anëtarësua në NATO, në vitin 2009, dhe si i vetmi anëtar midis gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor. Shqipëria ka mbështetjen e Polonisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE, një ndihmesë e paçmueshme po i ofrohet në procesin e saj drejt integrimit, me një përqëndrim të veçantë në angazhimet që vijnë si rrjedhojë e Kapitujve 23 dhe 24 të cilët do të jenë dy kapitujt e parë të negociimit në rrugën tonë drejt anëtarësimit.

Dy popuj miq me parime të njëjta.

Dy popuj miq të hershëm që në periudha të caktuara të historisë së tyre, patën fate të njëjta, por me patriotizmin dhe vendosmërinë arritën të fitojnë pavarësitë e tyre, Shqipëria në 1912. Polonia përkujton sivjet, 100- vjetorin e rivendosjes së pavarësisë pas 123 vite ndarjeje.
Përgjatë historisë, ne mund të dallojmë shembuj të shumtë të kontakteve midis njerëzve nga të dyja vendet tona. Një nga mësuesit e astronomit të famshëm polak, Nicolaus Copernicus, ishte Nicolaus Thameus, një shqiptar nga qyteti i Durrësit.
Dy vendet tona janë të lidhura edhe me kujtimin e prof. Stanis Zuber, një gjeolog i spikatur polak, i cili punoi në Shqipëri nga viti 1927 deri në 1947, zbulues i fushave me naftë dhe autor i hartës së parë gjeologjike të Shqipërisë, e cila është ende në përdorim, ai u arrestua dhe u vra nga regjimi komunist.

Në 1993 një polak i shquar, Papa Gjon Pali i II, vizitoi Shqipërinë, dhe jo vetëm prej konsideratës së lartë që kishte për arritjet e një shqiptareje të shquar, Nënë Terezës por dhe për vlerat e sakrificat e kombit tonë. Së fundmi, në 2016-ën midis martirëve të Kishës Katolike, të cilët u lumturuan në Shkodër, ishte edhe një prift polak, Atë Alfons Tracki ( i njohur si prift gjerman ), u lind më 2 Dhjetor 1896 në një familje me prejardhje polake , në Bleslaur (Wroclaw), përfundoi studimet teologjike në Bosnjë në vitin 1920, u transferua në Shkodër si misionar, kontribuoi pa fund për shqipërinë e shqiptarët deri sa u pushkatua më 18 korrik 1946.

Sot bashkëpunimi ynë dypalësh ekonomik po rritet nga viti në vit, deri më tani janë zhvilluar tre forume biznesi Polako-Shqiptar, duke ju dhënë kështu sipërmarrësve të të dyja vendeve mundësi për t’u takuar e diskutuar mbi mundësi e potenciale bashkëpunimi. Po ashtu në fushën e kulturës dhe arsimit, dy universitete polake – në Torun dhe Poznan – ofrojnë kurse të gjuhës dhe kulturës shqipe, studentëve shqiptarë gjithashtu ju ofrohet mundësi të mësojnë gjuhën polake në Universitetin e Tiranës që prej marsit të këtij viti.
Në Shqipëri janë gjithashtu shumë aktive, shoqata shqipëtare – polake dhe ajo artistike “Chopin”.

Shqipëria renditet ndërmjet dhjetë destinacioneve më të frekuentuara për poloninë. Numri i turistëve polakë po vjen gjithnjë në rritje çdo vit, sipas të dhënave, në vitin 2016 rreth 70 mijë turistë polakë vizituan vendin tonë, ndërsa nga janari deri në tetor 2017 numri shkoi deri në 115 mijë, çka përbën rritjen më të madhe në përqindje mes të huajve- 75% krahasuar me një vit më parë. Ata nxiten nga mikpritja e sinqertë e shqiptarëve, klima e shkëlqyer, deti i mrekullueshëm, plazhet ranore, malet dhe pamjet mbresëlënëse dhe shumë vlera natyrore dhe historike të vendit tonë. Polakët e kanë patur gjithnjë përzemër detin Adriatik dhe Jon, dhe Alpet Shqiptare. Qarku i Lezhës është gjithashtu një atraksion shumë tërheqës dhe mjaft i dashur për polakët, ata befasohen kur para tyre prezantohet pjesa më e bukur e Adriatikut, si “Amazona” e vogël e tij.

Pesë vite marrëdhënie të forta e të shkëlqyera bashkëpunimi, rrethi Nysa, Poloni – Këshilli i Qarkut Lezhë, Shqipëri.

Më shumë se pesë vite më parë, ishte pikërisht një Prift polak, Atë Vladimir Mamala, pasardhës i Martirit të Kishës Katolike shqiptare të Atë Alfons Tracki, i cili nisur njohja dhe respekti që gëzonte për banorët e qarkut Lezhë pasi kishte shërbyer për vite me rrallë, kontaktoi fillimisht mikun e tij zotin Mark Ruçi, për të mundësuar një lidhje bashkëpunimi reciprok mes Këshillit të Qarkut Lezhë dhe vendit të tij të lindjes Rrethit të Nysës –Poloni, duke e konkretizuar me nënshkrimin e saj, pesë vite më parë, më 27 shtator 2013. Atë Robert Wlodzimierz Mamala (Vladimir Mamala), mban titullin “Ambasador i Qarkut Lezhë”, dhënë me 3 Qershor 2016, nga trupa vendimarrëse e Këshillit të Qarkut Lezhë.

Vazhdimësia e marrëdhënieve mes dy Institucioneve tona u shtri edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit edhe mes Bashkive respektive si dhe Komunës së Otmuchow-it dhe Komunës Kallmet, atëherë, e sot vazhdohet me Bashkinë Lezhë.

Bashkëpunimi jonë shtrihet në shumë fusha me interes reciproik, shkëmbimi i vizitave zyrtare , promovimi i resurseve natyrore, historike e kulturore të qarkut tonë e sidomos promovimi i bregdetit të mrekullueshëm, të Shëngjinit e të Tales, aty ku natyra brenda një hapësire të kufizuar i ka të gjitha relievet detare, bregdetare, tokësore, ranorë , shkëmbore, ligatinore, lagunore, gjelbërimin e florës si dhe lulëzimin e faunës.

Ngritja e kapaciteteve të stafit të Këshillit të Qarkut Lezhë, ka qënë e mbetet një nga objektivat kryesore të tij, e sidomos për përtvetësimin e praktikatve të reja për aplikim e zbatim të projekteve të BE-së, në këtë kuadër dy grupe specialistësh janë dërguar për trajnim një mujor në Nysa –Poloni, duke u mbështetur tërësisht nga pala pritëse.
Grupi i Artistëve të rinj të Lezhës, kostumografia e larmishme kanë lënë gjithashtu mbresa gjatë ditëve të prezantimit të Lezhës në Nysa.

Në këtë pesë vjetor të bashkëpunimit dy palësh, Kryetari i Rrethit Nysa, Czesllaw Bilobran, dhe Kryetari i Këshillit, Zaczyk Stanislaw, i kanë dërguar një Letër Kryetarit të Qarkut Lezhë, Zotit Gjok Ndoka, duke i siguruar vazhdimësinë e bashkëpunimit, për hapjen e dyerve të reja edhe në fusha të tjera duke përfshirë autoritete, institucione dhe qytetarët e dy rajoneve. Ato gjithashtu i shprehin urimet më të mira për Këshilltarët, dhe gjithë banorët e Qarkut Lezhë duke ju siguruar forcimin e bashkëpunimit dhe të miqësisë.

Kryetari i Rrethit Nysa, Czesllaw Bilobran është vlërësuar me titullin ” Mik i Qarkut Lezhe”.