Mjedisi natyror, peisazhi e llojshmëria biologjike

Natyra e rajonit të Lezhës është një trashëgimi e pasur vlerash të relievit, llojshmërisë biologjike, klimës e mikroklimës.

Larmia e pafund e peizazhit është e kushtëzuar nga një reliev që të befason me ndryshimin e shpejtë dhe bukurinë në çdo stinë të vitit.

Një natyrë e rrallë nga bujaria, që ofron peizazhe mahnitëse që nga ultësirat bregdetare me plazhe, delta e ligatina të Gjirit të Drinit, lugina me kanione joshëse mahnitëse të Matit me degët e Fanit, me pyje të larta halorësh e gjetherënëse, çeltira e livadhe të Bjeshkëve të Oroshit e të Nenshejt e deri lartësitë shkëmbore të Munelles.

Bregdeti i sheshtë adriatikas, me plazhe të mrekullueshme, me deltat e lumenjve Drin e Mat, pason në lindje me një ansambël habitatesh ligatinore. Në kallamishtet që shpojnë pasqyrat ujore lagunore, e në vegjetacionin e ngjeshur kënetor e pyjor në anë të tyre, të josh prania dhe fluturimet spektakulare të çafkave, pulëbardhave, rosave e karabullakëve etj.

Për peizazhin me male mbi laguna e plazhin me ujë të qetë dhe mbi të gjitha faunën e florën e mrekullueshme, kjo zonë është shpallur në vendin e parë në Konferencën Mesdhetare të Algjerit (1988). Ndërsa ndër vite, është vlerësuar si perlë e natyrës shqiptare e privilegj i saj.

Ekosistemet ligatinore bregdetare të Kunes, Vainit, Tales, Patokut, Fushe Kuqe e Ishmit, me një sipërfaqe prej 6230.31 ha, të lagura nga deti Adriatik në 26.7 km vije bregdetare, janë të shpallura me ligj, zona të mbrojtura natyrore.

Ky kompleks natyror është i njohur në botë si hapësirë e rëndësishme për shpendët (Important Bird Area – IBA), ku jetojnë rreth 203 lloje. Për shumëllojshmërinë e shpendëve, zona është quajtur “Oaz i ornitologjisë së Mesdheut” ku popullojnë më shumë çafkat, karabullakët, rosat, baltaket, pulëbardhat etj.

Shumë lloje faunistike botërisht të rrezikuara, kanë një pjesë të arealit në ketë ekosistem. Në zemër të Ishullit të Kunes, midis shkurreve e drurëve të shumëllojshëm, ndodhet Këneta e Kashtës, e cila është një monument i rralle natyror. Ajo ushqehet me ujërat e lagunës së Merxhanit, nëpërmjet të një kanali lidhës.Gjire të vogla me plazhe me rërë e ujë të pastër, shpat gëlqeror më pishë e larmi drurësh të tjerë e shkurre, e përbëjnë bregdetin në veri të Shëngjinit. Në buzë të malit, ndodhen vatra me bimën e rrallë aromatike të mërsinës.

Si më i veçantë i këtij bregdeti, është gjeomonumenti natyror, i rralle ne llojin e vet, Rana e Hedhun. Objekti përfaqëson një mbushje të qëndrueshme me rëre të imët e të zakonshme
plazhi, të një pjese shpati bregdetar që arrin në një lartësi deri 90 m e gjerësi 200 m.

Mali i Rrencit, me kreshtën më të dallueshme gëlqerore të njohur me emrin Maja e Zezë, karakterizohet nga peizazhi tokësor gëlqeror karstik. Kjo zone, peizazh natyror i mbrojtur, është e njohur dhe për zvarranikët e shpendët grabitqarë. Shpatet gëlqerore të malit të Molungut e ato të Velës që ngrihen mbi të, ekspozohen me madhështi përball peizazhit fushor e bregdetar. Labirintet luginore të lumenjve Fan e Mat, të afrojnë më në thellësi shpate e kreshta malore monumentale.
Mali i thepisur gëlqeror i Veles, ai i Munellës e i Vinjollit më në lindje, zbardhojnë nga
dëbora në dimra të zgjatur e që mund të soditet si sfond i këndshëm nga mjaft qytete e
fshatra.
Ato gjithashtu përfaqësohen nga formacione karstike të pasura me hinka, puse e shpella.

Bjeshkët e Oroshit shtrihen në veri te Komunës Orosh, përfaqësohen me formacione gjeologjike mjaft interesante e me vlera shkencore. Pyjet halore si dhe gjethegjera, shumëllojshmëria biologjike, burimet e shumta e variacionet e relievit, ofrojnë një galeri pamjesh monumentale të natyrës.
Në mrekullinë peizazhiste, janë ngulmuar harmonishëm një numër i konsiderueshëm fshatrash. Mjaft prej banorëve të tyre kanë ruajtur vlerat e traditës ndërtimore të banesave të gurta një e dy katëshe të kompozuara hijshëm në shpate e sheshe. Krahas privilegjeve që ofron natyra për banorët, me shpatet me pyje, gështenjë, arrë e lajthi, ato kultivojnë një larmi drurë frutoresh, drithëra e perime ku dallohen kultivarët autokton si misri “gushtak”, rrushi “tajkë” e “kallmet”, etj.

Në verilindje të fshatit Kallmet, gjendet një ansambël pyjor mjaft interesant e i shumëllojshëm, monument natyror, në brendësi të të cilit ndodhet kisha e njohur e Shën Eufemisë.
Në mozaikun natyror të rajonit, janë të pafund objektet më tipare të veçanta si monumente të natyrës, disa nga të cilët mbrohen më ligj.
Pjesë e shumëllojshmërisë bimore, janë dhe bimët mjekësore, tanifere e eterovajore si trumza, lisra, murrizi, trëndafili i egër etj. Sherbela është më e veçanta.
Në ketë parajsë natyrore gjallojnë si më të pranishëm gjitarë të mëdhenj si dhelpra, lepuri, ujku, kunadhja, por në areale më të larta si Vinjolli vrojtohen dhe kaprolli e ariu. Në komunitetin faunistik shumëllojshmëria e shpendëve spikat në mënyrë të veçantë.E gjitha zona malore e rajonit të Lezhës përfaqësohet nga formacione të karstit, të pasur me puse, shpella e hinka karstike dhe disa prej tyre janë shpallur monumente natyrore të cilët mbrohen më ligj.