Këshilli i Qarkut Lezhë vlerëson me Titull Nderi, zotin Zef Gjoni.

Në bibliotekën e qytetit të Lezhës mes miqve të shumtë, drejtues të institucioneve, specialistë të sektorit të bujqësisë, të shërbimit veterinar, të afërm e familjarë, u organizua ceremonia e dhënies së titullit të nderit z. Zef Gjoni, Mjekut Veteriner, i lindur në Fregen të Njësisë Administrative Ungrej të Bashkisë Lezhë, i cili së bashku me një gjeneratë të tërë specialistësh e ekspertësh lezhjanë punoi e kontriboi për transformimin, intensifikimin dhe modernizimin e bujqësisë në qarkun e Lezhës. Zoti Gjoni përveç një specialist e drejtues shumë i mirë, ai veçohet mbi të gjitha si një shok e koleg i shkëlqyer, i thjeshtë, komunikues, familjar e prind shembullor, i papërtuar dhe i gjendur pranë nevojave të komunitetit ku shërbeu e vazhdon të shërbejë edhe pas daljes në pension si mjek veteriner.

Në këtë takim morën pjesë, Z. Gjok Ndoka, Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhe dhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, z. Fran Frrokaj.


Zv/Kryetari i Këshillit të Qarkut Lezhë Qarkut Lezhë, z. Agostin Marku në emër të Këshillit të Qarkut Lezhë dhe Kryetarit Zotit Gjok Ndoka, i dorëzoi titullin e lartë, z. Zef Gjoni, të shpallur me Vendimin Nr 50 date 24.12.2018, me motivacionin “Për kontribut të veçantë si Veteriner dhe Drejtues institucioni në zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë në Qarkun e Lezhës dhe më gjërë”. Zoti Marku u shpreh se Këshilli i Qarkut Lezhë ka kënaqësinë të vlerësojë sot edhe figura me kontribut në fushën e bujqësisë si një nga sektorët prioritar për zhvillimin social ekonomik të rajonit tonë, më tej në fjalën e tij vlerësoi kontributin e Zotit Gjoni në fushën e bujqësisë e blegtorisë ndër vite në të gjitha institucionet që ka punuar e drejtuar si dhe dimensionin e tij human.

Zoti Zef Gjoni, përshendeti të pranishmit për pjesëmarrjen, falenderoi dhe shprehu mirënjohjen për Këshillin e Qarkut Lezhë,Kryetarin Z. Gjok Ndoka për vlerësimin dhe nderimin që i bënë duke i akorduar një nga titujt me të lartë të qarkut Lezhë. Ai falenderoi gjithë kolegët e tij për punën e bashkëpunimin e frytshëm ndër vite si dhe familjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme.


Në këtë takim përshendeti edhe Kryetari i Bashkisë Lezhë, Zoti Fran Frrokaj.
Gjithashtu Miq e kolegë të Zotit Gjoni në fjalët e tyre përshëndetëse bënë një paraqitje të kronikës jetësore e profesionale të tij, duke përshkruar rezultatet e sukseset por dhe vështirësitë e sfidat e kohës.