Lançimi i projektit “ 3 Watch Out” , në rajonin e Puglias, Itali

Para disa ditësh në selinë e Rajonit të Puglias në Bari u mbajt takimi dy ditor për lançimin e projektit të bashkëpunimit ndërkufitar 3 WATCH OUT “Trilateral model of civil protection: WAys, Tools and CHallenges for OUr safeTy”

Këshilli i Qarkut Lezhë, partner në këtë projekt prezantoi në takimin e ditës së parë, Qarkun e Lezhës, pozicionin e tij të favorshëm gjeografik, larminë e pasurive natyrore, trashëgiminë kulturo-historike, planet e zhvillimit, etj. Prezantimi vazhdoi duke u ndalur për zonën që përfshihet në projekt, lagunën e Kune Vainit si një nga zonat me ndjeshmëri më të lartë mjedisore, e kërcënuar në vazhdimësi nga errozioni dhe përmbytjet, gjithashtu nisur nga qëllimi i projektit, Keshilli i Qarkut u prezantoi partnereve tanë italiane e malazeze mënyrën e funksionimit, rolet dhe përgjegjësitë e të gjitha institucioneve strukturave shtetërore, rajonale e lokale për monitorimin e menaxhimin e emergjencave civile.

Me interes u prit prezantimi i ilustruar për oferten turistike gjithnjë e në rritje që ofron Qarku Lezhë. (në të gjitha aktivitetet ndërkombëtare që Keshilli i Qarkut Lezhe merr pjesë, përpiqemi që të gjejmë mjete dhe metota që të promovojmë rajonin tonë pavarësisht axhendës së aktivitetit)

Projekti “3 WATCH OUT”, duke u nisur nga parimet e Mekanizmit për Mbrojtjen Civile të BE-së, synon të përcaktojë rregullat e bashkëpunimit ndërkufitar në raste emergjente në një nga vendet pjesëmarrëse, duke përshkruar një model të bashkëpunimit trepalësh nëpërmjet identifikimit të masave adaptuese për zhvillimin dhe të një sistemi të përbashkët të menaxhimit të rrezikut.

Partnerët e projektit do të zbatojnë veprime të ndryshme në territoret e tyre, jane përzgjedhur tre lloje rreziku (hidrogjeologjike, sizmike dhe zjarri) që ndikojnë në territoret e përfshira në projekt.

Partneri jonë kryesor për zbatimin e projektit do të jetë Drejtoria Rajonale e Mjedisit Lezhë sipas marrëveshjes se miratuar me datë 02.05.2018.

Në takimin e ditës së dytë u diskutua rreth aspekteve të menaxhimit, paketës së komunikimit, platformes eMS dhe çështjeve të tjera teknike për zbatimin e projektit, si dhe u vizituan ambjentet e Departamentit të mbrojtjes cicile në Rajonin e Puglias, një model i shkëlqyer i funksionimit të monitorimit dhe mbrojtjes civile.