Panairi i Malësisë së Kurbinit

Orientimi drejt produkteve vendase, bujqësisë organike, i listuar si një nga masat prioritare në dokumentat strategjike të zhvillimit të Qarkut Lezhë, e paraparë si një mundësi shumë e mirë për të gjeneruar zhvillimin ekonomisë rajonale e lokale por dhe si një garanci për rritjen e cilësisë së jetesës së konsumatorëve, po promovohet e mbështetet edhe nga organizatat e huaja, e i tillë ishte edhe Panairi i Malësisë së Kurbinit i organizuar nga World Vision, në fshatin Gallatë me rastin ditës së “Shën Prendës”.

Programi i World Vision prej katër vitesh mbështet fshatrat e thella të Malësisë së Kurbinit( Skuraj, Gallatë, Malbardhë) për mundësine e nxitjes së biznesit lokal në këtë zonë, por krahas aftësimit për ngritjen e një bisnesi dhe aksesimit në treg është punuar dhe me nisma të drejtpërdrejta, si në përmirësimin e sistemeve vaditëse, në shpërndarjen e fidanëve të lajthisë, rikonstruksion stallash, shpërndarje të bagëtisë së imët për familjet më në nevojë, etj.

Panairi i Malësisë së Kurbinit për herë të parë mblodhi rreth 14 biznese të zonës me një potencial të jashtëzakonshëm për zhvillimin e bujqësisë me produkte cilësore autoktone si mjalti, djathi i dhisë, mishi i bagëtive të imëta, frutave të thata, rakia e thanës dhe e rrushit, vera, por edhe të bimëve medicionale si sherbela, trumza, kamomili, lulebliri, çaj mali, luleshtrydha, mëllaga etj.
Ngjyrave të produkteve bujqësore ju bashkuan dhe ngjyrat e kostumografisë së larmishme kurbinase, veçanërisht të fshatit Vinjoll si dhe të prodhimit të veglave muzikore sidomos çiftelisë.

Të pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe Kryetari i Këshillit i Qarkut Lezhë z. Gjok Ndoka, Kryetari Bashkisë Kurbin, z. Artur Bardhi, Drejtoresha ekzekutive e World Vision për Ballkanin Perëdimor, Eljona Boçe Elmazi, si dhe autoritete të tjera rajonale e lokale, biznesmene e banorë të Bashkisë Kurbin.