Programi i Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR) – Modelet e zhvillimit të Pesë Fshatrave të Qarkut Lezhë “Ishull –Lezhë, Fishtë ( Bashkia Lezhë), Skuraj ( Bashkia Kurbin), Katundi i Vjetër, Orosh ( Bashkia Mirditë). Këshilli i Qarkut Lezhë, institucioni i vetëm në nivel Rajonal për hartimin e zbatimin e politikave të zhvillimit, duhej të ishte pjesë e procesit.

 

Në një territor prej 1588.4 km², në qarkun Lezhës me një popullësi prej 220 710 banorësh ( sipas gjendjes civile) dhe 127 910 ( sipas Instat ), shtrihen 170 fshatra me 186 vëndbanime.
 
Këshilli i Qarkut Lezhë, heret, në dokumentat e tij strategjike të zhvillimit ka përcaktuar si fushë prioritare për zhvillimin e Rajonit tonë, turizmin dhe bujqësinë, me largpamësinë e eksperteve të tij si dhe të vendimarrësve, u hartua një dokument strategjik për zhvillimin e turizmit dhe agroturizmit, dokumenti i parë në nivel ndërrajonal, ku për herë të parë u pa agroturizmi, ekoturizmi e turizmi i natyrës si një mekanizëm i tërheqjes drejt fshatit, falë bukurive të jashtëzakonshme natyrore, vlerave të trashëgimisë kulturore, historisë së qarkut tonë por dhe si një instrument efikas për krijimin e një efekti zinxhir. Dokumenti fillon me shprehjen : “ të zhvillosh turizëm nuk mjafton të kesh , por të dish ta administrosh !
 
Për Këshillin e Qarkut Lezhë, agroturizmi dhe turizmi rural, vazhdojnë të jenë veprimtari me potenciale të larta zhvillimi, në shumë fshatra në Lezhë kanë filluar të funksionojnë ferma që ofrojnë shërbime në agroturizëm duke arritur në një kohë të shkurtër rezultate shumë të mira ekonomike dhe sociale, një model suksesi në nivel kombëtar është Fishta me “Mrizin e Zanave”.
 
Programi i Integruar për Zhvillimin Rural(PIZHR) –i lancuar si programi i “100 Fshatrave” synon të krijojë një model suksesi në zhvillimin e integruar rural. Ky program do të zbatohet nëpërmjet tre projekteve strategjike, të cilat do të synojnë krijimin e rrjetit të agroturizmit shqiptar, ngritjen e rrjetit të inkubatorëve të produkteve tradicionale dhe ngritjen e rrjetit të markatave/dyqaneve të produkteve shqiptare dhe tradicionale.
Kategoritë që do të përfitojnë këtë mbështetje mendohet të jenë bujtinat, subjektet me aktivitet agroturistik, inkubatorët dhe prodhimet tradicionale, si dhe startup-et për të rinjtë.
 
Tre Bashkitë e qarkut tonë, sigurisht në fazën e parë të hartimit të këtij programi ( mbledhja e informacionit dhe data base), kanë dërguar të dhëna të plota për fshatrat që të mund të përfshihen në programin e integruar Rural, kështu me VKM Nr. 21, datë 12.1.2018, në qarkun Lezhë u përzgjodhen për t”u bërë pjesë e Programit, fshatrat “Ishull –Lezhë e Fishta( Bashkia Lezhë), Skuraj ( Bashkia Kurbin), Katundi i Vjetër e Oroshi ( Bashkia Mirditë ).
 
Për qarkun e Lezhës nuk është e lehtë të gjesh një metafore e cila të shpalose me densitetin e duhur, atë produkt estetik, që përftohet nga harmonia gati perfekte e klimës bregdetare, me atë malore, si në këto vise e në këtë reliev , ku natyra afishon një bukuri të pashoqe dhe njëherësh fsheh si me magji visarin arkeologjik të konservuar ndër mijëvjecare, kulinarinë e mikpritjen, por dhe investimet e sipërmarrjeve dhe kapacitetet lokale, tashmë pjesë e historisë së suksesit të agroturizmit dhe ekoturizmit shqiptar, e të gjitha këto duhet t’i kenë vënë në vështirësi, Komisionin e përzgjedhjes, së programit të 100 fshatrave.
 
Në korrik 2018 u krijua “Akademia e 100 Fshatrave”, 100 fshatrat u grupuan në 22 grup fshatrash të cilët u studiuan nga 22 skuadra pune, që punuan për hartimin e modeleve të zhvillimit për secilin nga fshatrat.
 
Fshatrat Ishull Lezhe e Fishtë bëjnë pjesë në lotin e trete, ndërsa Skurajt , Katundi Vjetër dhe Oroshi bëjnë pjesë në lotin 4. ( numri i loteve shpreh vetëm grupimin e fshatrave duke filluar nga veriu ne jug)
 
Këshilli i Qarkut Lezhe si institucioni i vetëm në nivel rajonal që harton e zbaton politika të zhvillimit në territorin e qarkut Lezhë, nuk ka patur asnjë ftese për bashkëpunim nga asnjë institucion a organizëm në kuadër të punës për programin e “100 Fshatrave”, nuk është ftuar qoftë dhe si pjesëmarrës në asnjë nga tre workshop-et e zhvilluar por dhe në asnjë takim në territor, aq pak të japë asistencen e tij, sepse në fund të fundit askush më mirë se Neve si institucion, për vete funksionin që kryejmë, për burimet njerëzore planifikuese me eksperience të gjatë, nuk i njeh më mirë mundësitë për zhvillim, (potencialin dhe kapacitetet njerëzore të fshatrave, elementët fizikë të traditës, trashëgimisë, natyrës e pejsazhit të këtyre komuniteteve), dhe se duke punuar të gjithë bashkë do të ishte një ndërthurje e shkëlqyer e burimeve të njohjes, dijes, të mbështetura edhe në raportet dokumentat e strategjive të hartuara deri tani, të energjive, ideve innovative të universiteteve të përfshira në Akademi,si dhe e të dëshirës e vullnetit të mirë të të gjithëve.
 
Modelet e zhvillimit te 100 fshatrave u pasqyruan në një ekspozite e cila qëndroi e hapur nga data 27-31 dhjetor 2018, pritet që pas kësaj faze  për çdo lot të ketë një botim të dedikuar.
 
Këshilli i Qarkut Lezhë për vete funksionin e tij, pavarësisht përfshirjes, gjithmonë, përtej politikës, është i angazhuar të informojë palët e interesuara për çdo program/projekt /plan/dokument/ që ka në vëmendje të tij zhvillimin në territorin e qarkut Lezhë.