Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë zhvilloi mbledhjen e saj të parë, Kryetari i Këshillit të Lezhë, z. Eduard Ndreca, u zgjodh në postin e Zëvendës Kryetarit të Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë.

Shoqata e Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë ka zhvilluar mbledhjen e saj të parë pas zgjedhjeve të 30 qershorit. Mbledhja u drejtua nga Kryetari z.Aldrin Dalipi.

Shoqata vlerësoi se institucioni i Këshillit të Qarkut ka rol të rëndësishëm në vlerësimin e dëmeve të banesave nga tërmeti i disa ditëve më parë. Në takim u falënderuan rajonet europiane që u solidarizuan me Shqipërinë pas tërmetit, ndërsa u theksua se Shoqata do intensifikojë kontaktet me qarqet dhe rajonet e Europës për ndihmë në mjete dhe pajisje për raste të emergjencave civile pasi shumë njësi të qeverisjes vendore i kanë të nevojshme.

Shoqata zgjodhi dhe nënkryetarët e saj për mandatin katërvjeçar ,z. Eduard Ndreca, kryetar i Qarkut Lezhë, z. Ana Verushi, kryetare e Qarkut Korçë si dhe Lindita Rova, kryetare e Qarkut Gjirokastër.


U zhvillua gjithashtu edhe mbledhja e Këshillit Konsultativ, i cili bashkëdrejtohet nga Zëvendësministri i Brendshëm, Znj. Romina Kuko, përgjegjës për koordinimin e pushtetit vendor dhe si Kryetari i Shoqatës së Këshillave të Qarqeve të Shqipërisë, Z. Aldrin Dalipi.
Zoti Dalipi u shpreh se mbledhjet e Këshillit Konsultativ ka qenë e jane një instrument transparent në vendimmarrje, shumë europian në veprim dhe shumë gjithëpërfshirës e i hapur për të dëgjuar aktorë jashtë tryezës, me ide dhe propozime të ndryshme.


Zëvendësministrja e Brendshme, Znj. Romina Kuko në fjalën e saj vlerësoi takimin dhe Këshillin Konsultativ për hapat e ndërmarrë si dhe vuri theksin në bashkëpunimin e ngushtë mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore.

Këshilli Konsultativ miratoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme si ai për “Për dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare të punonjësit të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, në rast të dëmtimit te rëndë të pronës, për shkak të detyrës”; projektvendimin “Një ndryshim në vendimin nr. 350, datë. 19.04.2017, të Këshillit të Ministrave, Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të punonjësve të shërbimit te mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi” si dhe projektvendimin “Për sigurimin e jetës së punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.