Shoqata e Qarqeve të Shqipërisë takim me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, ” Mbi rolin e Funksionet e Këshillave të Qarqeve”, Këndvështrimi i Këshillit të Qarkut Lezhë

Shoqata e Këshillave të qarqeve të Shqipërisë , me datë 25 Janar 2019 zhvilloi një takim konsultativ me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore.

Në këtë takim morën pjesë 12 Kryetarët e Këshillave  të  Qarqeve, Drejtori i Agjencisë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, përfaqësues të Ministrisë së Brendshme, etj.

 

Në diskutim u vu theksi që përmes dialogut dhe bashkëpunimit me Agjencinë për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore dhe Ministrinë të ndikohet në rritjen e konsolidimin e rolit të Qarkut në misionin dhe funksionin e tij kryesor, planifikues-koordinues, si motor i zhvillimit ekonomik dhe social në nivel rajoni,  të administrimit të territorit, burimeve dhe resurseve natyrore rajonale si dhe të mundësojë efiçense në shërbime.

Kryetari i Shoqatës së Qarqeve, z. Aldrin Dalipi gjatë fjalës së tij tha se dialogu i qeverisjes vendore me atë qendrore është me rëndësi për të forcuar rolin e institucioneve tona për më shumë sherbime ndaj qytetarëve edhe në nivelin rajonal.

**

Përcaktimi jo i qartë në ligj, i funksioneve dhe kompetencave të Qarqeve, është vënë në dukje që në fillim me ligjin  8652 dt. 31.07.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore”, por nga të gjithë u paramendua që sidomos Reforma administrative territoriale  e cila erdhi si një instrument për të përmirësuar qeverisjen, aksesin e plotë dhe cilësor të qytetarëve në shërbime publike, demokracinë lokale dhe zhvillimin ekonomik lokal,përmes ligjit Nr. 139/2015 “Për Vetëqeverisjen Vendore” dhe akteve të tjera nënligjore  do të sillte ndryshime të qënësishme përsa i përket dhe kompetencave dhe funksioneve të Këshillave të Qarqeve.

Me  VKM Nr. 961, datë 02/12/2015, ndodhi e kundërta u krijuan institucione të reja për zhvillimin Rajonal si  Agjencia Kombëtare për Zhvillim Rajonal, Agjencitë e  Zhvillimit Rajonal, dhe Agjencia e Zhvillimit Ekonomik Rajonal”, të cilat u vlerësuan nga Qeveria Shqiptare si një mekanizëm mjaft efektiv nisur nga misioni dhe funksionet e tyre për zhvillimin rajonal, me synimin që të gjitha rajonet do të kenë mundësi të gjenerojnë më shumë investime në funksion të nevojave dhe të një perspektive zhvillimi të qëndrueshëm në fushat respektive specifike.  Kjo u vazhdua e pasqyruar më pas menjëherë  edhe në Ligjin e Buxhetit 147/2015 “Për Buxhetin e Vitit 2016”, ku referuar  nenit 15, thuhet : “që personeli administrativ i Këshillit të qarkut nuk mund të jetë më shumë se 10 veta”, duke lënë të kuptohet që i gjithë  procesi për Zhvillimin Rajonal nuk do të mbështetet kryesisht nga Agjensitë e Zhvillimit rajonal dhe se mund të priten ndryshime në Kushtetute për Keshillat e Qarqeve. Kështu Banka e burimeve njerezore e krijuar në Qarqet e Shqipërisë( e trajnuar e çertifikuar nga shumë programe e projekte kombëtare e ndërkombëtare), ndër më të mirat në jo vetëm në nivel lokal e rajonal sidomos në drejtim të hartimit e zbatimit  të politikave te zhvillimit rajonal e detyruar u shpërnda.

Ekspertet e Specialistet e kësaj fushe u befasuan kur me Vendim nr. 438, datë 18.7.2018, u shkrinë të gjitha Agjensitë dhe vetem një pjesë e stafit kaloi tek Fondi shqiptar i zhvillimit (FSHZH), duke humbur kosto në burime njerëzore e investimet e shumta për ngritjen e funksionimin e Agjensive. Ndërkohë Aparatet e Administratës së Këshillave të Qarqeve në të gjithë Shqipërinë me Ligjet e Buxhetit të çdo viti vazhdojnë të jenë po me 10 veta.

**

Të gjitha vendet e Evropës e kanë nivelin e ndërmjetëm qeverisës/institucional që mbulon çështjet e rajonit/zhvillimit rajonal, madje edhe 5 vende siç janë ( Maqedonia, Mali i zi, Kosova,Islanda e Lituania) kanë institucione si Agjensi Zhvillimi, rajone statistikore apo Bashki metropolitane) të cilat mbulojnë çështje të planifikimit e zhvillimit rajonal.

Shqipëria është një ndër shtetet e vetme në Rajon që nuk ka Ligj Për zhvillimin Rajonal, megjithëse në vitin 2007 u Draftua dhe kaloi të gjitha nivelet e konsultimit e diskutimit me grupet e interesit por nuk u miratua, po kështu në vitin 2016 u hartua një tjetër por akoma vazhdon të jetë i pa miratuar. Ndërkohë në Kosovë, jo vetëm që është i miratuar Ligji për Zhvillimin Rajonal, por ky Sektor është parë me prioritet dhe është i organizuar në nivel Ministrie, Ministria e Zhvillimit Rajonal e Kosovës.

**

Këshilli i Qarkut Lezhë në takimin me Shoqatën e Qarqeve dhe Agjensinë, parashtroi që të gjithë faktorët e aktoret rajonale duhet të punojnë për hartimin e një drafti për qartësimin dhe rritjen e  kompetencave dhe formës së përfaqësimit e nivelit të ndërmjetëm të siç është Qarku me terma afat shkurtër që i përgjigjen kuadrit egzistues ligjor, por me terma afatmesem e afatgjatë për rajonalizimin permes të cilit Rajonet të marrin autonominë e autoritetin e tyre politik, qeverisës dhe ekonomik për disa arsye :

Së pari: Për të përfituar nga procesi i integrimit, nga zbatimi i Instrumentave te paraaderimit ( IPA),  nisur nga prioritetet  e këtyre financimeve,  ku të gjitha fushat kanë dimension rajonal.

Së dyti: Bazuar në efiçensen e disa funksioneve që kërkojnë ekonomi  shkalle si : Planifikimi i Territorit dhe turizmi,  Zhvillimi Ekonomik, Mbrojtja e mjedisit, Mbrojtja e tokës bujqësore, Arsimi, Shendetësia, Mirëqenia sociale, Transporti Rajonal dhe Rrugët , Mbetjet Urbane

Së treti: Për të siguruar zhvillim të qëndrueshëm, nisur nga fakti i ruajtjes së burimeve ( pyjet kullotat, burimet ujore, biodiversiteti, energjia e rinovueshm, etj)të cilat janë të lidhura me njera –tjetren dhe shkojnë përtej një niveli të vetqeverisjes vendore, nga një autoritet vendimarrës rajonal me përbërje të cilit të jenë të përfaqësuar të gjitha grupet e interesit.