Helvetas Swiss Intercooperation (hsi) e financuar nga zyra e bashkëpunimit zvicerian në Shqipëri (sco-a), ka filluar zbatimin e projektit ”Bashki të forta”, së shpejti prezantimi në qarkun lezhë, për tre bashkitë, Lezhë, Kurbin dhe Mirditë.

Ky Projekt ka për qëllim:

• Vendosjen e Sistemit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta në nivel Bashkiak sipas standardeve kombëtare;
• Përcaktimin një modeli për menaxhimin e arsimit parashkollor në nivel Bashkiak;
• Trajnimin e Bashkive për të monitoruar përformancen e tyre;
• Trajnimin e Këshilltarëve bashkiak, për fuqizimin e vendimarrjeve në mandatin e tyre;
• Forcimin e Sekretariateve e këshillave bashkiak për të mbështetur këshilla bashkiake më funksionale;
• Të indentifikojë dhe aktivizojë kanale efektive të komunikimit ndërmjet këshilltarëve dhe qytetarëve.

Asistenca teknike fokusohet në hartimin e mjeteve dhe proceseve që i ndihmojnë Bashkite për të arritur objektivat e dakorduara bashkarisht me projektin nëpermjet katër paketave te asistences teknike:

1. Menaxhimi i Mbetjeve
2. Edukimit parashkollor
3. Menaxhimit të Përformancës së Bashkive
4. Përfaqesimi në Keshillat Bashkiak.

Sot ne po ndalemi në objektivin e parë të këtij programi: Menaxhimi i mbetjeve në qarkun e Lezhës( prespektiva në studimet aktuale e kryera në këtë sektor nga eksperte të huaj dhe analiza e Këshillit të Qarkut Lezhë) .

Shqipëria si vend kandidat për të hyrë në BE ka detyrimin të përmbushë standardet e BE për Menaxhimin e Mbetjeve të ngurta. Këto standarde që kanë në fokus rikuperimin dhe trajtimin e mbetjeve te cilat janë transferuar në legjislacionin shqiptar, që do të thotë: rikuperimi dhe riciklimi i 50% të rrymës së mbetjeve (Strategjia MM) dhe Trajtimi i mbetjeve organike para se të depozitohen (direktiva e BE për vend depozitimet).

Aktualisht është në proces hartimi i masterplanit të Menaxhimit të Integruar i Mbetjeve të Ngurta (MIMN) për të gjithë Shqipërinë, i cili do të përcaktojë metodologjinë dhe teknologjinë e duhur për investimet e ardhshme strategjike në sektorin MMN, kostot dhe tarifat, do të ofrojë një plan investimi me faza për infrastrukturën vendore dhe rajonale MIMN si dhe do të propozojë ndryshimet e nevojshme ligjore dhe institucionale.

Në aspektin rajonal të menaxhimit të mbetjeve konsiderohen: Transferimi dhe transporti, Trajtimi i mbetjeve të pariciklueshme (përfshi trajtimin mekanikbiologjik dhe incinerimin) si dhe Vend depozitimet sanitare. Ndërsa si komponete vendore përfshihen: Pastrimi i rrugëve dhe grumbullimi i mbetjeve – Grumbullimi i diferencuar dhe përpunimi i mbetjeve të riciklueshme dhe atyre organike – Vend depozitimet për mbetje nga ndërtimet (mbetje inerte) – Rehabilitimi i vendgrumbullimeve të mbetjeve.

Për Bashkitë e qarkut tonë, adresimi dhe zgjidhja e menaxhimit të mbetjeve është një përgjegjësi por dhe një nga prioritetet e tyre, kjo shihet e programuar dhe e pasqyruar edhe në objektivat e në buxhetin e tyre afatmesem.

Bazuar në projeksionin e rritjes së popullësise sipas INSTAT për qarkun Lezhë dhe në aktivitetin ekonomik, Ekspertet kanë përllogaritur që sasia e mbetjeve do të jetë si më poshtë:

Bashkitë SASIA E MBETJEVE ( Sasia e grumbulluar )
2022     2027        2032
Lezhë 34 ton/ditë 39 t/d 42 t/d
Kurbin 29 t/d 31 t/d 34 t/d
Mirditë 10 t/d 11 t/d 12 t/d

Total Qarku Lezhë 73 t/d 81 t/d 88 t/d

Ky Masterplan ashtu si dhe më heret studimet e kryera nga programi i DLDP, propozojne dy stacione transferimi një në Rreshen e një në Laç pastaj për të vijuar në Landfillin e Bushatit.

Menaxhimi i mbetjeve është një problem disa drejtimësh, por mbi të gjitha ai është një problem financiar, kërkon burime financimi sidomos në ndërtimin i infrastrukturës të sistemit të integruar të depozitimit dhe trajtimit në bazë të zonave të mbetjeve përfshi Stacionet e Transferimit si dhe Objektet e Rikuperimit të Materialeve, por përvojat e deritanishme e studimet e kryera nga programi DLDP dhe institucione te tjera, si dhe me zbatimin e projektit “ Bashki të forta” jemi të bindur se do të përcakton zgjidhje konkrete, efikase e eficente duke ju siguruar banoreve të qarkut Lezhë, standarte më të larta në ofrimin e këtij shërbimi dhe me kosto më të ulët.

Bazuar në Ligjin Nr.10 463, datë 22.9.2011 “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve”, i azhornuar, Këshillat e qarqeve mbartin disa përgjegjesi e detyrime, e në këtë kuadër, Këshilli i Qarkut Lezhë në vitin 2015 ka hartuar e miratuar Planin Rajonal të menaxhimit të integruar të mbetjeve, sigurisht ky plan është dinamik e tashmë edhe bazuar në nenin 12 të këtij Ligji, ka nevojë të rishikohet e përditësohet, si instrumenti i vetëm rajonal ekzekutiv për menaxhin e mbetjeve, duke realizuar qëllimet mjedisore, ekonomike dhe sociale të qarkut Lezhë, si dhe vendosjen edhe të sistemit të administrimit të performancës dhe pasi të ketë marrë koncensusin e qytetarëve, të miratohet nga përfaqësues të Këshillit Rajonal të trajnuar për vendimarrje të tilla, besojmë se projekti “Bashki të Forta“ do ta përfshijë në këtë qasje edhe nivelin rajonal të përfaqësimit.

Mbetet për tu diskutuar e vendosur, a do të vazhdojnë Këshillat e Qarqeve të kenë ato përgjegjesi për Menaxhimin e mbetjeve që me Ligj akoma i ngarkohen por në Strategjinë Kombëtare të menaxhimit të integruar të mbetjeve të vitit 2018, disi anashkalohen? A do ti shtohen të tjera kompetenca apo do t’i hiqen edhe ato që ka, sidomos kur aktualisht në Ligjin e Buxhetit të dy viteve të fundit personeli administrative i tij nuk mund të jetë më shumë se 10 veta? Kjo mbetet për t’u parë, Projekti Bashki të Forta, Menaxhimin e Mbetjeve e ka një prej paketave të saj të asistencës.
Sir David Wilson shkruan : “Solid Management & Good Governance, are two sides of same coins..”