Përformanca e rajoneve në zhvillimin e qëndrueshëm, si qëndron lezha në raport me qarqet e tjera?

Studimet konstatojnë se reformat ekonomike zbatohen më me sukses dhe japin rezultate më të mira, nëse gëzojnë mbështetjen e shtresës së gjerë të popullsisë. Këshilli i qarkut Lezhë duke qënë një institucion që harton e integron politika dhe programe të ndryshme në nivel rajonal, dhe bën koordinimin horizontal të aktorëve vendor me atë vertikal midis niveleve të ndryshme të qeverisjes për çështje të zhvillimit rajonal, është përpjekur që gjatë gjithë këtij procesi të jetë sa më korrekt e transparent me të gjitha faktorët dhe publikun e gjërë duke ndjekur metodologji gjithëpërfshirëse.

Shumë terma që po përdoren sot sidomos në sektorin ekonomik vijnë si jo fort të qartë për publikun e gjërë, duke i artikuluar shpesh në gjuhë të huaj apo me shkurtesat e tyre, kjo po ndodh gjërësisht në mediat e shkrurara e vizive, por edhe në prezantimet e programeve katërvjeçare të qeverive, e ngadonjëherë edhe në dokumentat strategjike kombëtare rajonale e vendore përdoren terma të përgjithshëm e të shpërndarë, çka shton në mënyrë artificiale vështirësitë dhe riskun për zbatimin në praktikë të tyre.

Atëhëre po termi zhvillim i qëndrueshëm rajonal që sapo e përdorëm më sipër e aq shumë e dëgjojmë/ lexojmë çfarë është?

Zhvillim i qëndrueshëm rajonal është një harmonizim i politikave kombëtare, rajonale e lokale në arritjen e mirëqënies ekonomike, sociale e mjedisore për individët dhe bizneset e një rajoni, për të ofruar një mjedis sa më të qëndrueshëm dhe konkurrues.

Zhvillimi i qëndrueshëm mund të përkufizohet si një balancë dinamike ndërmjet tre elementëve të pavarur; mbrojtje e pasurimi i burimeve natyrore dhe ekosistemeve, i prodhimit ekonomik, dhe ofrimit të infrastrukturës sociale si: punë, strehim, edukim, kujdes shëndetësor dhe kulturë me qëllim që të përforcojnë përmbushjen e nevojave dhe aspiratave si për brezin aktual ashtu edhe për brezat e ardhshëm.

Gjatë periudhës së tranzicionit të vendit tonë i gjithë zhvillimi u fokusua në përfitimet e menjëhershme, duke lënë pas dore pasojat afatgjata, por hap pas hapi zhvillimi i qëndrueshëm po bëhet gjithnjë e më shumë pjesë e programeve të zhvillimit në fushat prioritare të përcaktuara në strategjitë e zhvillimit në gjithë nivelet, vendore, rajonale e kombëtare. Të gjithë aktorët e zhvillimit e kanë tashmë në vëmendjen e tyre e po përpjekjen për zbatimin e parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm.

Por zhvillimi i qëndrueshëm është edhe një filozofi, e cila orienton jo vetëm politikat makro, por dhe sjelljen e individëve sepse sejcili prej nesh është ofrues por dhe përdorues në territorin/mjedisin ku ne jetojmë.

Këshilli i Qarkut Lezhë i mbeshtetur nga program RDP 1, hartoi një dokument shumë të mirë për zhvillimin e qëndrueshëm në qarkun Lezhë për deri në vitin 2020, bazuar në qasjen e balacimit ekonomik brenda rajonit, duke u fokusuar tek skenaret e zhvillimit nënrajonal ( duke grupuar njësitë e qeverisjes lokale brenda qarkut që potenciojnë më shumë në një fushë a sektor të caktuar).

Zhvillimi rajonal në fakt nuk mund të mjaftohet vetëm me hartimin e strategjive të mira, por duhet kthyer në një dokument veprimi të zbatueshëm, e për këtë kërkon instrumenta/mjete zhvillimorë, kërkon të mobilizojë të gjitha burimeve vendore për të hartuar projekt propozime të mira, për të vendosur partneritete të sukseshme duke ju përgjigjur sfidave rajonale, nëpërmjet ndërhyrjeve konkrete në përmirësimin e infrastrukturës, zhvillimin e biznesit, përmirësimi i aksesit në shërbimet dhe tregjet kryesore, konsolidimi i kohezionit social, modernizimi i agrikulturës e stimulimit të turizmit, etj.

Përveç hartimit, zbatimit të një dokumenti strategjik zhvillimor një komponent shumë i rëndësishëm është dhe matja e efiçensës dhe për herë të parë kësaj Strategjie të qarkut Lezhë i bashkëlidhet një sistem për monitorim e vlerësimi bazuar në listat e treguesve të qartë e konkret për çdo fushë zhvillimi duke na ndihmuar të krahasojmë ecurinë aktuale me rezultatet e pritshme.

A po matet ecuria e performancës së rajoneve, pra zhvillimi ekonomik? Ku qëndron Lezha në raport me qarqet e tjera?

Çdo rajon ka treguesit e tij për matjen e përformances së zhvillimit ekonomik sepse çdo rajon ka karakteristikat e veta specifike dhe bazën mbi të cilën fillohen të analizohen e maten treguesit.

Sot pas tre vite Keshilli i qarkut Lezhë tashmë edhe pse me një staf mjaft të reduktuar, nëpërmjet Sektorit të vlerësimit e monitorimit po përpiqet të vlerësojë përparimin e bërë për arritjen e rezultateve në zbatimin e strategjisë së Zhvillimit të Qarkut Lezhë duke bërë përpunimin e të dhënave, megjithë vështirësitë për sigurimin e detajuar të tyre.

Në Shqipëri, treguesit për matjen e nivelit të zhvillimit të qëndrueshëm rajonal janë, 37. Këto tregues janë grupuar në shtatë fusha kryesore, dhe secila fushë ka treguesit përkatës, për të përcaktuar zhvillimin ekonomik. Ndërkohë ne po ndalemi vetëm në dy tregues shumë domethënës për zhvillimin e qarkut Lezhe, prodhimin e brëndshëm bruto ( PBB) dhe papunësinë.

Ekonomia e një vendi bazohet në masë të madhe në kapitalin njerëzor të saj, prandaj përpara se të ndalemi tek këta treguesit ekonomik, po japin një pasqyrë se si qëndron raporti i popullësisë në qarkun Lezhë i ndarë sipas grup moshave.

Qarku Lezhe sipas INSTAT 2017, ka një popullësi prej 129.639 banorë dhe përbën 4,5% të popullsisë së përgjithshme të Shqipërisë, ku grupmosha nga 0-14 vjeç, është 18,73 % e popullësisë së qarkut tonë ose 24 276 banorë, 15-64 vjeç, 67,71% ose 87 778 banorë dhe mbi 65 vjeç 13,57% ose 17 592 banorë. Nëse e krahasojmë me vitin 2012 kemi një zvogëlim prej 7105 persona, (shifër kjo si shtese natyrale negative e popullësisë së qarkut tonë në të cilën nuk janë përfshirë popullësia e larguar gjatë këtyre viteve jashtë vendit, e megjithëse qarku Lezhë renditet i pari në Shqipëri për lindjet, 12.2 lindje për mijë banorë ). Nëse i referohemi vetëm vitit 2017 ka një rënie të numrit të popullsisë nga migrimi i brendshëm neto në shumën -934 persona që renditet ndër më të ultat në nivel vendi. Qarku i Lezhës ka një humbje neto të popullsisë prej mbi 38% ose rreth 80 000 banorë krahasuar me të dhënat zyrtare të Regjistrit të Gjendjes Civile të vitit 2015.

Produkti i brendshëm bruto për frymë i qarkut, (PBB) përfaqëson vlerën totale në para, të të gjithë të mirave dhe shërbimeve të prodhuara gjatë një periudhe specifike nga njësitë prodhuese rezidente brenda territorit ekonomik të tij. Metodat e përdorura në Shqipëri për llogaritjen e PBB-së janë metoda e prodhimit dhe e shpenzimeve. Ky tregues ka domethënie pozitive në zhvillimin e qëndrueshëm, sa më e madhe vlera e këtij treguesi aq më i zhvilluar është një qark.

Referuar të dhënave zyrtare në nivel kombëtar, PBB për frymë për shqipërinë për vitin 2017 ishte 513 mijë lekë, e ndërsa për qarkun Lezhë ishte 389 mijë lekë, 24.3% më pak se mesatarja në rang kombëtar.

Pesha që zënë sektorët kryesore të ekonomisë në strukturën PBB të qarkut Lezhë janë për vitin 2017: Bujqësia pyjet e peshkimi 32.3 %; Industria( përpunuese nxjerrse ) 8.8% më e ulëta në të gjitha qarqet e shqipërisë ; Ndërtim 17.1%; Tregti, transport hoteleri 15.1 %, informacion dhe komunikim 1.8%, aktivitete financiare dhe të sigurimit 1.8; aktivitete pasurive të paluajtshme 6% dhe pjesa tjeter janë administrate publike, arsim, shendetesi, argëtim, etj.

Papunësia

Papunësia është një nga çështjet më sfiduese për çdo ekonomi në tranzicion. Shkalla e papunësisë përcaktohet si numri i të papunëve i pjesëtuar me numrin e personave në forcën e punës.

Sipas standarteve të statistikave kudo në botë edhe në Shqipëri i papunë quhen personat 15-65 vjeç ( që quhet forcë aktive pune) të cilët në një periudhë të caktuar reference plotësojnë njëkohësisht të tre kriteret si më poshtë: nuk kishin një punë, ishin duke kërkuar punë aktivisht, dhe ishin të gatshëm që në rast se gjenin një punë të fillonin punë (të papunë në përputhje me definicionin e ILO-s). Pra punëkërkues është një përson, i cili jeton në Shqipëri, është mbi 16 vjeç, paraqitet personalisht në Zyrën e Punësimit për të gjetur punë dhe është i aftë për punë.

Norma e Papunësisë referuar të dhënave për vitin 2015 ishte 16.1%, ndërkohë që forcat aktive të punës në qarkun Lezhë janë rreth 88000, ndër të cilat të punësuar në administratë 6.700, në sektorin privat jo-bujqësor 9891, në total të punësuar në këto dy sektorë janë 16.591 banorë ose 18.85% e forces aktive për punë, pjesa tjeter e popullësisë sipas INSTAT , i bie të jetë e punësuar në sektorin bujqësor, të papunë të rregjistruar dhe të papunë të parregjistruar. Paga mesatare bruto për të punësuarit në sektorin shteteror për qarkun Lezhë është 50.051lekë.

Norma e Papunësisë referuar të dhënave për vitin 2017 ishte 12,2 %, duke u renditur e dyta më e lartë pas Kukësit.Të punësuar në administratë 6.610, në sektorin privat jo-bujqësor 11701, në total të punësuar në këto dy sektorë janë 18 311banorë. Paga mesatare bruto për të punësuarit në sektorin shteteror për qarkun tonë është 54230 lekë, ndërkohë që shpenzimet mesatare mujore për konsum për këtë kategori referuar Anketës së Buxhetit të Familjeve 2016 ishin 75.470 lekë për NjEF (Njësi Ekonomike Familjare)

Politikat e shteteve në zhvillim shpeshherë kufizohen vetëm në rëndësinë e politikave që kërkojnë thjesht të shfrytëzojë burimet indogjene, model ekonomik i zhvillimit por me kosto shume të madhe për të ardhmen. Modeli ekonomik në Shqipëri gjatë këtyrë viteve ka qënë i orientuar drejt sektorëve me vlerë të ulët të aftësive, ( në sektorin fason , telekomunikacionit, shërbime te thjeshta ), çka po dekurajon të rinjtë tonë të thellojnë njohuritë e tyre në profesione me vlerë të lartë, e aktualisht kemi biznese të veçanta të cilat na pohojnë se, forca e kualifikuar e punës po i pengon ata të zgjerohen në linja që kërkojnë kualifikim.

Në qarkun e Lezhës, përqindja e të rinjve ndaj numrit të punëkërkuesve të papunë të regjistruar gjithsej në këtë qark ka një tendencë në rënie, nga 18,6 % në vitin 2016 në 7,2 % në vitin 2017.

Në fund të vitit 2014 qarku Lezhe numëronte 3330 ndërmarrje aktive ndërsa në fund të 2017 arriti në 5354 dhe përbën 3,3% të të gjitha ndërmarrjeve në rang vendi, ndër të cilat 1697 administratore femra.

Së fundmi, asnjë institucion qoftë ky në nivel kombëtar, rajonal a vendor, i vetëm nuk mund të jetë faktor zhvillues, besojmë fort se përpjekjet e ndihmesa e sejcilit prej nesh do të bëjë të mundur që të arrijmë të përbushim sfidën për zhvillim të qëndrueshëm, është detyrim e përgjegjësi, e që sigurisht kërkon shumë punë por dhe merr shumë kënaqësi.

Interesante dhe shumë kuptimplotë është thënia e shkrimtarit të njohur francez Antoine de Saint-Exupery në vitet 30-të të shekullit të kaluar ku thotë : “Ne nuk e trashëgojmë tokën nga paraardhësit tanë, ne e kemi marrë atë hua nga fëmijët tanë.”

Burimi i të dhënave INSTAT.
Në Shqipëri përgjegjës për koordinimin e Sistemit Kombëtar Statistikor lidhur me të gjitha aktivitetet në vend për zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave zyrtare bazuar në ligjin nr. 17/2018 “Për statistikat zyrtare” është INSTAT-i (Instituti i Statistikave).